Follow us on:

Kosova, lidere e rajonit në luftimin e ekstremizmit fetar

Tiranë, 24 shkurt – Pranimi i Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore si pjesëmarrëse në të gjitha aktivitetet dhe mbledhjet, në të gjitha nivelet në mënyrë të barabartë është sinjali më i mirë për rajonin dhe më gjerë se Kosova është bërë eksportuese e paqes dhe stabilitetit.

Kështu ka deklaruar në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pranimi i Kosovës si vend pjesëmarrës në këtë forum duhet të shërbejë si shembull edhe për forumet tjera, ku Kosova synon të anëtarësohet.

Ne i bëjmë thirrje edhe vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimi të Evropës Jug-Lindore që të mbështesin Kosovën në anëtarësimin në organizatat e tjera rajonale dhe ndërkombëtare, ku synojmë të aderojmë”, ka thënë Thaçi.

Një konfirmim i rolit të Kosovës në rajon, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, do të jetë edhe konferenca e radhës e ministrave të jashtëm dhe të infrastrukturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vazhdim i samitit të Berlinit dhe si përgatitje për samitin e Vjenës, i cili do të mbahet në Prishtinë më 25 mars.

“Pasi siguria është një nga temat kryesore të këtij takimi, sot Kosova njihet si lider në rajon në luftimin e radikalizmit, ekstremizmit fetar dhe terrorizmit”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai ka kërkuar anëtarësim në të gjitha institucionet e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin, ndër to edhe në institucionet e sigurisë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi i ka inkurajuar të gjitha vendet e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Jug-Lindore që të njohin përparimin e arritur nga Kosova dhe të vazhdojnë të përkrahin përfshirjen e vendit tonë në të gjitha proceset dhe nismat në rajon dhe më gjerë.